Një UPS, vendoset midis rrjetit elektrik dhe pajisjeve që nuk duhet të fiken papritur. Kur rrjeti del jashtë kufijve të pranueshëm ose ndërpritet, UPS-i përdor energjinë e ruajtur në bateri për ta mbajtur ngarkesën aktive për një kohë të kufizuar.
Qëllimi i tij nuk është të furnizojë një ndërtesë/pajisje pa afat. Ai krijon kohën e nevojshme që një server të fiket në mënyrë të kontrolluar, një sistem sigurie të vazhdojë punën ose një gjenerator të ndizet dhe të stabilizohet. Mënyra si realizohet kjo varet nga topologjia, fuqia, bateria, ngarkesa dhe projekti i instalimit.
Nëse kërkoni fillimisht përkufizimin bazë dhe arsyet e përdorimit, lexoni edhe udhëzuesin e Eurocol Service: Çfarë është një UPS dhe pse është i domosdoshëm për biznesin tuaj?
Çfarë ndodh brenda një UPS?
Një sistem online double-conversion përdor disa blloqe që punojnë së bashku:
- Radrizatori konverton AC në DC. Energjia alternative nga rrjeti kthehet në energji të vazhduar..
- Karikuesi mban bateritë në gjendje pune. Kur rrjeti është i disponueshëm, bateria karikohet dhe qëndron gati për ndërprerjen e radhës.
- Inverteri konverton DC përsëri në AC. Ai krijon daljen që furnizon pajisjet kritike.
- Bateria merr rolin e burimit kur rrjeti dështon. Inverteri vazhdon të furnizohet nga DC, por vetëm për autonominë që lejon sistemi i baterive.
- Bypass-i krijon një rrugë alternative. Në varësi të modelit dhe kushteve, një bypass statik mund ta kalojë ngarkesën te burimi alternativ gjatë mbingarkesës ose një defekti të inverterit. Bypass-i i mirëmbajtjes lejon ndërhyrjen teknike duke ushqyer ngarkesën drejtpërdrejt nga rrjeti.
Kjo rrjedhë shpjegon pse një UPS online double-conversion nuk pret që të ndizet inverteri pasi ikën energjia. Inverteri është tashmë në rrugën normale të furnizimit, ndaj kalimi nga rrjeti te bateria bëhet pa kohën e transferimit që kanë zakonisht topologjitë offline ose line-interactive.
Kjo nuk do të thotë se çdo kalim brenda sistemit është pa kohë të matshme. Kalimi mes inverterit dhe bypass-it varet nga sinkronizimi, konfigurimi dhe modeli. Gjithmonë duhet kontrolluar fleta teknike e UPS-it konkret.
Çfarë ndodh në sekondën kur ndërpritet energjia?
Në një UPS të instaluar dhe në punë, sekuenca tipike është kjo:
- Sistemi zbulon se tensioni ose frekuenca e hyrjes nuk është më brenda kufijve të lejuar.
- Bateria vendoset në punë.
- Inverteri vazhdon të furnizojë pajisjet me AC.
- UPS-i dërgon alarm lokal ose sinjal te sistemi i monitorimit.
- Nëse ka gjenerator, UPS-i mbulon intervalin deri sa gjeneratori të ndizet, të stabilizojë tensionin dhe frekuencën dhe të pranohet nga UPS-i.
- Nëse rrjeti ose gjeneratori nuk rikthehet para mbarimit të energjisë së përdorshme të baterisë, UPS-i duhet të mundësojë fikje të kontrolluar ose do të ndalojë daljen në kufirin e parashikuar nga prodhuesi.
Pra, UPS-i nuk e bën ndërprerjen të pafundme. Ai e kthen një fikje të menjëhershme dhe të pakontrolluar në një interval të menaxhueshëm.
Offline, line-interactive apo online double-conversion?
Jo çdo UPS punon në të njëjtën mënyrë. Tri topologjitë kryesore kanë përdorime të ndryshme.
| Topologjia | Si punon normalisht | Çfarë ndodh kur rrjeti dështon | Përdorim tipik |
|---|---|---|---|
| Offline / standby | Pajisja ushqehet kryesisht nga rrjeti | UPS-i kalon te inverteri dhe bateria me një vonesë të shkurtër | PC, modem, router dhe pajisje bazë |
| Line-interactive | Rrjeti kalon përmes rregullimit automatik të tensionit | Kalon te bateria kur korrigjimi nuk mjafton ose rrjeti mungon | Rrjete të vogla, NAS, pajisje zyre dhe serverë të shpërndarë |
| Online double-conversion | Inverteri furnizon vazhdimisht ngarkesën pas konvertimit AC-DC-AC | Bateria vazhdon të furnizojë | Server room, data center, kontroll industrial, telekom dhe ngarkesa me ndjeshmëri të lartë |
Topologjia online zakonisht zgjidhet kur cilësia dhe vazhdimësia e energjisë janë pjesë e funksionimit kritik. Por fjala “online” nuk mjafton për të vendosur. Duhen kontrolluar fuqia reale, forma e valës, autonomia, mbingarkesa, bypass-i, monitorimi, fazat dhe përputhshmëria me ngarkesën.
Cilat pajisje konsiderohen kritike?
Një pajisje është kritike kur fikja e papritur mund të shkaktojë humbje të dhënash, ndalim procesi, humbje shërbimi ose problem sigurie. Shembuj të zakonshëm janë:
- serverë, pajisje ruajtjeje dhe elemente të rrjetit
- centrale telefonike, sisteme komunikimi dhe transmetimi
- kamera, kontroll aksesi dhe sisteme alarmi
- frigoriferë ne markete/supermarkete
- PLC, instrumente kontrolli dhe automatizim industrial
- sisteme pagese POS dhe pika shitjeje
- pajisje laboratorike ose shëndetësore, vetëm pasi verifikohen kërkesat e pajisjes dhe standardet përkatëse
- sisteme monitorimi, kontrolli trafiku dhe infrastrukturë teknike
Jo çdo prizë e objektit duhet të lidhet me UPS. Një projekt i mirë përcakton fillimisht ngarkesat që duhet të vazhdojnë patjetër, ato që duhet të fiken në mënyrë të kontrolluar dhe ato që mund të presin nisjen e burimit afatgjatë.
Për pajisje mjekësore, motorë, pompa, kompresorë, ftohje dhe ngarkesa industriale nuk mjafton vetëm vlera nominale në kVA. Duhet analizuar rryma e nisjes, profili i ngarkesës, selektiviteti, tokëzimi, autonomia dhe kërkesat e vetë prodhuesit të pajisjes.
Nga çfarë e mbron UPS-i ngarkesën?
Mbrojtja varet nga topologjia dhe modeli, por një UPS i zgjedhur siç duhet mund të ndihmojë kundër:
- ndërprerjes së plotë të furnizimit
- rënieve ose ngritjeve të tensionit jashtë kufijve të pranueshëm
- mikro-ndërprerjeve
- disa shqetësimeve të frekuencës dhe shtrembërimit, veçanërisht në topologjinë online
- fikjes së pakontrolluar të sistemeve IT
Standardi IEC 62040-3 e përkufizon vazhdimësinë e energjisë për ngarkesën si funksionin kryesor të UPS-it dhe përcakton mënyrën e deklarimit e testimit të performancës. IEC 62040-1 trajton sigurinë, ndërsa IEC 62040-2 trajton përputhshmërinë elektromagnetike.
Këto janë fusha të ndryshme. Një referencë ndaj një standardi nuk duhet interpretuar automatikisht si provë për autonominë, mbrojtjen ndaj rrufesë ose përshtatshmërinë për çdo aplikim.
Çfarë nuk bën një UPS?
Një shpjegim i saktë duhet të tregojë edhe kufijtë:
- Nuk jep energji pa afat. Autonomia mbaron kur bateria arrin kufirin e saj të shkarkimit.
- Nuk zëvendëson gjeneratorin për ndërprerje të gjata. Në një sistem të koordinuar, UPS-i mbulon tranzicionin dhe gjeneratori furnizon për kohë më të gjatë.
- Nuk e bën kapacitetin e mbingarkesës të pakufizuar. Prodhuesit deklarojnë kufij dhe kohë të caktuara.
- Nuk siguron domosdoshmërisht të njëjtin kondicionim në bypass. Kur ngarkesa ushqehet drejtpërdrejt nga rrjeti, mbrojtja e inverterit mund të mos jetë aktive.
- Nuk zëvendëson tokëzimin, automatet, kabllot e dimensionuara saktë ose instalimin profesional. UPS-i përmban energji të ruajtur dhe mund të ketë tension të rrezikshëm edhe pasi është shkëputur hyrja.
- Nuk zëvendëson automatikisht SPD-në kundër mbitensioneve kalimtare. Mbrojtja nga rrufeja dhe shkarkimi i energjisë drejt tokës kërkojnë analizë të koordinuar të instalimit.
- Nuk ruan vetë të dhënat pasi mbaron bateria. Për IT duhen monitorim, alarme dhe fikje automatike e kontrolluar.
UPS, stabilizator, gjenerator apo SPD?
Këto pajisje zgjidhin probleme të ndryshme dhe shpesh plotësojnë njëra-tjetrën.
| Pajisja | Funksioni kryesor | Çfarë nuk zëvendëson |
|---|---|---|
| UPS | Jep vazhdimësi të përkohshme me energji të ruajtur dhe, sipas topologjisë, kondicionon daljen | Gjeneratorin për autonomi të gjatë dhe projektin e plotë të mbrojtjes elektrike |
| Stabilizator tensioni | Korrigjon luhatje të qëndrueshme ose të ngadalta ndërsa rrjeti është i pranishëm | Furnizimin gjatë blackout-it, sepse nuk përdor bateri për autonomi |
| Gjenerator | Furnizon energji për një kohë më të gjatë pasi ndizet dhe stabilizohet | Kalimin e menjëhershëm dhe kondicionimin e ofruar nga UPS-i |
| SPD / parafoudre | Kufizon mbitensionet kalimtare dhe devijon energjinë drejt tokës | Energjinë rezervë gjatë ndërprerjes |
Në instalime kritike, pyetja zakonisht nuk është “cilën nga këto të zgjedh?”, por “si duhet të koordinohen?”.
Si llogaritet fuqia e duhur e UPS-it?
Zgjedhja nuk duhet bërë vetëm duke mbledhur etiketat në pajisje dhe duke marrë kVA-në më të afërt. Procesi duhet të kontrollojë:
- Ngarkesën reale në W. Mblidhni konsumin e pajisjeve që do të mbrohen.
- Fuqinë e dukshme në VA ose kVA. Kontrolloni faktorin e fuqisë, sepse kVA nuk është automatikisht e barabartë me kW.
- Rrymën e nisjes. Motorët, printerët laser, pompat, kompresorët dhe ngarkesat e tjera mund të kërkojnë rrymë shumë më të lartë në nisje.
- Monofazë apo trefazë. Konfigurimi i hyrjes dhe daljes duhet të përputhet me impiantin dhe ngarkesën.
- Rezervën për rritje. Duhet hapësirë për zgjerim dhe kulme, por një UPS shumë i madh pa arsye mund të rrisë koston dhe të ulë efikasitetin në ngarkesë të pjesshme.
- Redundancën. Nëse kërkohet N+1 ose një arkitekturë tjetër, njësitë e mbetura duhet të mbajnë ngarkesën e plotë kritike edhe kur një modul nuk është në punë.
Formalisht, fuqia reale lidhet me fuqinë e dukshme dhe faktorin e fuqisë. Për shembull, një UPS 10 kVA nuk duhet supozuar si 10 kW nëse fleta teknike nuk deklaron faktor daljeje 1. Duhet verifikuar njëkohësisht kufiri në kW dhe ai në kVA.
Si llogaritet autonomia?
Autonomia është një llogaritje më vete nga fuqia. Ajo varet nga:
- ngarkesa reale në momentin e ndërprerjes
- kapaciteti dhe numri i baterive
- kimia e baterisë
- mosha dhe gjendja e saj
- temperatura e ambientit
- humbjet e konvertimit
- kufiri i shkarkimit i vendosur nga prodhuesi
Sa më e lartë të jetë ngarkesa, aq më shpejt bie autonomia. Prandaj nuk duhet premtuar një numër minutash vetëm nga emri “10 kVA” ose “20 kVA”. Përdorni kurbën e autonomisë për modelin, konfigurimin e baterisë dhe ngarkesën reale.
Përcaktoni gjithashtu objektivin:
- kohë vetëm për fikje të kontrolluar
- mbulim deri në nisjen e gjeneratorit
- vazhdimësi për një periudhë të caktuar pa gjenerator
- ruajtje e një grupi minimal ngarkesash duke shkëputur ato jo kritike
Shtimi i kabineteve të baterive mund ta rrisë kohën, por nuk rrit automatikisht fuqinë e inverterit.
Si punon UPS-i me gjeneratorin?
Në një skemë të koordinuar, UPS-i reagon menjëherë ndaj humbjes së rrjetit. Gjeneratori ndizet, arrin shpejtësinë dhe stabilizon tensionin e frekuencën. Vetëm atëherë UPS-i e pranon burimin dhe kthehet në funksionim normal, ndërsa bateria fillon të rikuperojë karikimin.
Përputhshmëria nuk vendoset me një shumëzues universal. Duhet të llogariten ngarkesat e tjera mbi gjenerator, rryma e nisjes, fuqia e karikimit të baterive, forma e valës, impedanca e gjeneratorit dhe dritarja e pranimit të UPS-it. Një gjenerator i papërshtatshëm mund ta bëjë UPS-in të kalojë vazhdimisht nga hyrja te bateria.
Pse bateritë dhe mirëmbajtja janë po aq të rëndësishme sa UPS-i?
Bateria plaket edhe kur UPS-i duket se punon normalisht. Temperatura e lartë, shkarkimet e shpeshta, shkarkimi i thellë, ventilimi i dobët dhe periudhat e gjata pa karikim e ulin jetëgjatësinë dhe kapacitetin e përdorshëm.
Për bateritë VRLA, prodhuesit shpesh japin si orientim një jetë tipike prej rreth 3 deri në 5 vjet në kushte të përshtatshme. Kjo nuk është garanci dhe nuk vlen njësoj për çdo kimi ose instalim. Gjendja duhet vlerësuar me testim dhe sipas manualit të modelit.
Një plan mirëmbajtjeje duhet të përfshijë:
- kontrollin e alarmeve dhe regjistrave të ngjarjeve
- testimin e baterive dhe autonomisë sipas procedurës së prodhuesit
- kontrollin e lidhjeve, ventilatorëve, filtrave dhe rrugëve të ajrit
- vëzhgimin për fryrje, rrjedhje, korrozion ose temperaturë jonormale
- kontrollin e kondensatorëve dhe komponentëve me konsum
- verifikimin e bypass-it, monitorimit dhe procedurës së fikjes së kontrolluar
- dokumentimin e mirëmbajtjes dhe zëvendësimeve
Hapja e pajisjes dhe ndërrimi i baterive duhet t’u lihet personave të autorizuar. Energjia e ruajtur krijon rrezik elektrik edhe kur rrjeti është shkëputur.
Kur ka kuptim një UPS AEC ose Powertronix nga Eurocol Service?
Eurocol Service punon me zgjidhje UPS nga AEC dhe Powertronix për përdorime nga IT-ja dhe bizneset e vogla deri te instalimet trefazore dhe ngarkesat industriale.
Vlera nuk qëndron vetëm te zgjedhja e markës ose e një numri kVA. Ajo që duhet përputhur është i gjithë sistemi:
- topologjia me ndjeshmërinë e pajisjes
- kW dhe kVA me ngarkesën reale e rrymën e nisjes
- bateria me autonominë e kërkuar
- UPS-i me gjeneratorin dhe bypass-in
- instalimi me ventilimin, mbrojtjet dhe monitorimin
- pajisja me një plan mirëmbajtjeje
Eurocol Service ofron vlerësim teknik, instalim dhe testim, mirëmbajtje parandaluese dhe ndërhyrje teknike. Kjo lejon që rekomandimi të nisë nga ngarkesa dhe objektivi i vazhdimësisë, jo vetëm nga katalogu.
Kontrolli i fundit para se të zgjidhni UPS-in
Para kërkesës për ofertë, përgatitni këto të dhëna:
- Listën e pajisjeve që duhet të qëndrojnë aktive.
- Fuqinë në W dhe VA, si dhe rrymën e nisjes kur ka motorë ose ngarkesa të veçanta.
- Tensionin, frekuencën dhe numrin e fazave.
- Kohën e autonomisë që ju duhet dhe arsyen për të.
- Nëse ka gjenerator, ATS ose burim të dytë.
- Temperaturën, ventilimin dhe hapësirën e instalimit.
- Kërkesën për monitorim në rrjet, alarme ose fikje automatike.
- Nivelin e redundancës dhe procedurën gjatë mirëmbajtjes.
- Planin e testimit dhe të zëvendësimit të baterive.
Për një dimensionim të bazuar në ngarkesën reale, kontaktoni Eurocol Service në +355 4 247 7260 ose +355 68 20 74 604. Ekipi mund të vlerësojë kërkesën dhe të propozojë konfigurimin AEC ose Powertronix që përputhet me impiantin dhe autonominë e nevojshme.
Pyetje të shpeshta
A vazhdon një UPS të punojë pa kufi kur ikën energjia?
Jo. UPS-i punon nga bateria vetëm për autonominë e projektuar. Kur energjia e përdorshme mbaron, dalja ndalet nëse nuk është rikthyer rrjeti ose nuk është pranuar një burim tjetër, si gjeneratori.
A është UPS online gjithmonë pa kohë transferimi?
Në modalitetin online double-conversion, inverteri furnizon vazhdimisht ngarkesën, ndaj kalimi nga rrjeti te bateria nuk ka kohë transferimi. Kalimet te ose nga bypass-i mund të kenë kohë të matshme dhe janë specifike për modelin dhe sinkronizimin.
A janë kVA dhe kW e njëjta gjë?
Jo domosdoshmërisht. kVA mat fuqinë e dukshme, ndërsa kW fuqinë reale. Marrëdhënia varet nga faktori i fuqisë. Kontrolloni të dy kufijtë në fletën teknike.
A mund ta zëvendësojë UPS-i gjeneratorin?
Zakonisht jo për ndërprerje të gjata. UPS-i jep reagim të menjëhershëm dhe kohë të kufizuar. Gjeneratori mund të sigurojë energji më gjatë, pasi të ndizet dhe të stabilizohet. Të dyja pajisjet duhet të dimensionohen dhe koordinohen si sistem.
A e mbron UPS-i pajisjen nga rrufeja?
Mos e supozoni. Disa UPS kanë mbrojtje ndaj impulseve brenda kufijve të deklaruar, por mbrojtja e objektit nga mbitensionet kalimtare dhe rrufeja mund të kërkojë SPD të koordinuar, tokëzim dhe projekt të plotë elektrik.
Sa zgjat një bateri UPS?
Varet nga kimia, temperatura, ciklet, mirëmbajtja dhe modeli. Për shumë bateri VRLA përdoret orientimi 3 deri në 5 vjet në kushte të përshtatshme, por kapaciteti real duhet kontrolluar me testim dhe sipas planit të prodhuesit.
A mund ta lidh çdo pajisje me një UPS?
Jo pa verifikim. Motorët, kompresorët, pompat, printerët laser, pajisjet mjekësore dhe ngarkesat industriale mund të kenë rrymë nisjeje ose kërkesa të veçanta që e bëjnë të pamjaftueshme një zgjedhje vetëm sipas kVA-së nominale.
